Negocimi është pjesë e jetës së përditshme, por në biznes është tepër e rëndësishme për të patur sukses. Negocimi jo i mirë mund të ndikojë në kompaninë tuaj duke e dëmtuar atë. Negocimi nuk duhet të ndikohet nga emocionet dhe fati, por kërkon punë, guxim dhe disiplinë për të qënë sa më profesionist.

Gjithçka bëhet për biznesin. Përqëndrohuni tek ajo që doni të arrini dhe përmbushni qëllimin tuaj. 

Përgatitja është e rëndësishme

Përpara se të filloni negociatat, ju duhet t'a njihni konkurentin tuaj, cilat janë dobësitë e tyre dhe të arrini të përmirësoni pikat tuaja të forta. Konkurenti juaj mund të ketë eksperienca të mëparshme në negocim. Ju mund të konsultoheni me kompani të cilat kanë patur marrëveshje të mëparshme. Në këtë mënyrë ju krijoni një ide të taktikave të negocimit që përdorin dhe t'i përdorni në avantazhin tuaj. 

Pjesa psikologjike luan një rol të rëndësishëm në negocim. Nëse konkurenti ndjen që ju nuk jeni plotësisht të sigurt, ata do të përfitojnë nga kjo gjë për t'a përdorur në vazhdimësi. 

Përpara se të nisni negociatat, njihni personat me të cilët do të bisedoni, nëse ata kanë të drejta të plota për vendimarrje. 

Përgatisni një strategji

Propozimi i parë është gjithmonë më i rëndësishmi, pasi çdo gjë që pason do të ketë lidhje me të. Askush nuk do t'iu japë atë që doni pa e kërkuar vetë, prandaj propozimi duhet të jetë sa më i drejtpërdrejtë dhe konçiz.

Vini re lëvizjet e trupit dhe reagimet ndaj propozimeve tuaja. Nëse marrëveshjet nuk shkojnë mirë, mbyllini negocimet. Por jini të durueshëm, prisni edhe për reagimin e palës tjetër. 

Pas çdo propozimi të bërë, vjen një kundër propozim. Oferta juaj mund të pranohet ose të refuzohet, por nëse refuzohet dhe ju kërkohet për një propozim tjetër, mos pranoni, pasi në këtë mënyrë ju do të jeni duke negociuar me veten tuaj. 

Gjeni balancën e duhur

Përcaktoni një bazë të fortë që në fillimet e negocimit duke treguar njohuritë tuaja rreth subjektit. Merrni iniciativën dhe rregullojini marrëveshjet si të dëshironi. 

Propozimi

Pas diskutimeve të shumta ku janë specifikuar të gjitha pikat, vjen dhe propozimi. Në propozim përfshihet: çmimi, qëllimet, identifikimi i shërbimeve, kushtet dhe dokumentacione për referencë. Edhe pse primare për ju është çmimi, mos i anashkaloni elementët e tjerë pasi edhe ato kanë rëndësinë e tyre. 

Gjatë negociatave përpiquni të përcaktoni se cilat janë rezultatet më të pranueshme për të dyja palët. Duhet të njihni prioritetet tuaja, por edhe të konkurentit në mënyrë që t'i kuptoni më mirë. 

Negocimet e suksesshme kërkojnë kohë, kreativitet, informim dhe aftësi për të parashikuar hapin e rradhës së palës tjetër.