Teknologjia ka revolucionarizuar biznesin, tashmë është radha e arsimit!

Sot, informacioni është i kudondodhur dhe njerëzit duhet të mësojnë më shumë se kurrë më parë. Përparimet teknologjike kanë prodhuar më shumë mjete dhe aparatura për tu përdorur dhe e kanë ndërlikuar përdorimin e atyre ekzistueseve. Ky kompleksitet në rritje ka sjellë edhe kërkesa në rritje për njerëzit. Mjaft gjëra që më parë realizoheshin manualisht sot kërkojnë së paku njëfarë niveli mjeshtërie dhe njohurish dixhitale. Për shembull; nëse, jo shumë kohë më parë, do t’ju duhej të udhëtonit në vende të ndryshme për të paguar faturat e energjisë elektrike, për të transferuar para në llogarinë tuaj bankare apo për të blerë një produkt që shitet vetëm përmes telefonit; sot, të gjitha këto funksione mund të kryen njëra pas tjetrës, vetëm përmes klikimit në ekranin e smartphone-it tuaj falë aplikacioneve të shumta.

Sigurisht, që arsimi nuk mund të mbetej pa u prekur nga këto ndryshime të shpejta. Disa ndër avantazhet e implementimit të teknologjive dhe metodologjive të kombinuara në procesin e mësimdhënies që kanë shërbyer si frymëzim për projektin në të cilin jemi përfshirë janë:

Kudo, kurdoherë, për këdo

Falë internetit, ne sot mund të shkëmbejmë informacion kudo që të ndodhemi, në çdo orë të ditës dhe ditë të vitit, si dhe për këdo që mundet ta aksesojë atë në çdo vend dhe kohë. Ky është një avantazh mjaft i vyer që i shërben mësimdhënies, duke i mundësuar nxënësve fleksibilitet për ta aksesuar materialin mësimor në momentin më të përshtatshëm për ta edhe jashtë klase apo pa e hapur librin.

Eliminimi i kostove dhe barrierave

Aksesimi i materialeve online, nga shtëpia, ul kostot dhe shmang barrierat me të cilat mund të ndeshen nxënësit për të ndjekur secilën orë mësimi në mjedisin e shkollës. Kjo u mundëson atyre që ta aksesojnë materialin mësimor nga smartphone-i apo laptopi i tyre, në shtëpinë apo mjedisin e tyre të punës/praktikës, pa qenë e nevojshme të jenë të pranishëm çdo herë në shkollë.

Përditësim i shpejtë i informacionit

Produktet web-based u mundësojnë mësuesve t’i azhornojnë materialet e tyre dhe pasurojnë ato në çdo moment. Përmes këtij funksioni, mësuesit mund të korrigjojnë gabime në përmbajtjen e tekstit mësimor apo ta pasurojnë atë me informacionet më të reja nga fusha. Kësisoj, nxënësit nuk janë më të kufizuar nga një tekst që mund të jetë botuar shumë vite më parë, ndërkohë që zbulime të reja mund të jenë bërë dhe informacioni i disponueshëm në tekst mund të mos jetë më i vlefshëm.

Mundësi për mësimnxënie të personalizuar

Zgjidhjet e bazuara në teknologji krijojnë më tepër hapësirë për stile të ndryshme, individuale të të mësuarit. Nxënësit mund ta përzgjedhin vetë mënyrën e përthithjes së dijes, qoftë përmes të lexuarit, imazherisë interaktive, lojrave (gamification of learning) apo kuizeve.

Rritje e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet nxënësve

Një ndër pikat më të forta në favor të platformave elearning është të qenit interaktive. Zgjidhjet elektronike të mësimdhënies dhe mësimnxënies shpalosin më tepër opsione ndërvepruese ndërmjet nxënësve dhe mësuesve, si dhe nxënësve me njëri-tjetrin. Teknikat e shumta të zhvillimit të këtij ndërveprimi përfshijnë: rastet studimore, story-telling, demonstrimet, role-playing, simulimet, videot informuese, referencat dhe redirected content, mentorimi i personalizuar, grupet e diskutimit, forumet, chat room-et, tutorialet, FAQs, etj. 

Më pak intimiduese

Nxënësit në kurset online janë më të lehtësuar nga presioni i monitorimit dhe gjykimit pasi ata zhyten në një mjedis pa risk, në të cilin mund të provojnë gjëra të reja dhe mund të gabojnë pa u ekspozuar së jashtmi. Ndryshe nga ç’ndodh në klasë, këtu ata nuk do të gjykohen dhe nuk u testohet drejtpërsëdrejti vëmendja, memoria apo kapaciteti konjitiv.